duart-qe-sherojne-cover

Duart që shërojnë

Në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të trajtimit të viktimave të dhunës në familje kemi zhvilluar takime me stafin që punon në këtë qendër për të ofruar një shërbim sa më të mirë dhe cilësor tek vajzat dhe gratë që gjenden të strehuara aty. Për këtë kemi përdorur kurrikulën “Duart që shërojnë”. Përgjatë një viti kemi zhvilluar takime mujore me të gjithë stafin e qendrës.

takim-me-grate-cover

Takime me gratë

Në bashkëpunim me kisha ungjillore lokale në Shqipëri apo organizata si “Qendra Ditë e re” apo qendra të tjera sociale për gra organizojmë takime me tema sociale dhe shpirtërore. Të gjitha materialet mbi të cilat zhvillohen takimet janë marrë nga skriptet e programeve “Shpresë për ty”. Në këto takime përveç diskutimit rreth temës, lutjes për nevojat e grave dhe vajzave kemi edhe lojëra ose aktivitete të ndryshme të lidhura me temën. 

aktivitete-cover1

Aktivitete për fëmijët

Në zemrën tonë si staf TWR Albania kanë qenë fëmijët e lënë pas dore apo fëmijët për të cilët nuk është kujdesur njeri, kështu që çdo herë që Perëndia na ka hapur një derë jemi munduar të sjellim festë për ata fëmijë atje ku janë. Në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të trajtimit të viktimave të dhunës në familje kemi organizuar festa Krishtlindje për ta, duke çuar tek ata një grup fëmijësh që këndojnë dhe kërcejnë apo japin një dramë muzikore. Një tjetër bashkëpunim ka qenë me Shtëpinë e Shpresës në Shkozë. Kjo qendër punon me fëmijët romë dhe kemi zhvilluar aktivitete të përbashkëta duke sjellë festën e Krishtlindjes, Pashkës apo duke u përfshirë në kampin e tyre veror me një grup fëmijësh që kanë kënduar dhe kërcyer dhe kanë ndihmuar fëmijët romë të mësojnë këngët. Një ndihmë të madhe në këto aktivitete kanë dhënë drejtuesit e kishave ungjillore të cilët kanë qenë të gatshëm të sillnin festën tek ata fëmijë që ndoshta kurrë më parë nuk e kanë përjetuar këtë gëzim.

thesare-te-fshehuraMIRE

Thesare të fshehura

Trafikimi njerëzor dhe shfrytëzimi seksual i grave ka qenë një nga problemet mbarëbotërore që kanë pasur një ndikim shkatërrues mbi gratë, familjet e tyre dhe komunitetin e tyre. Kur njerëzit shiten si artikuj të përdorimit të gjerë, jetët e tyre dhe jetët e atyre rreth e rrotull tyre shkatërrohen.

Si përgjigje ndaj kësaj nevoje, TWR Shpresë për ty së bashku me Rrjetin Evropian të Lirisë (European Freedom Network) ka sjellë projektin “Thesare të fshehura” për gratë që ndodhen në rrugë dhe për ato që janë të mbyllura në shtëpi publike.

Projekti Thesare të fshehura përdor fuqinë e medias për të sjellë shërim të brendshëm dhe liri tek gratë e shfrytëzuara seksualisht dhe të trafikuara. Përmes radiodramave të frymëzuara nga ngjarje të vërteta dhe të gërshetuara me këshilla profesionale, gratë prezantohen me mesazhin jetë-ndryshues të dashurisë së madhe të Perëndisë dhe qëllimit për to.

Materiali audio i vendosur në pajisje mp3 shpërndahet përmes organizatave të ndryshme të krishtera që punojnë në terren në të gjithë Evropën. Qëllimi është që këto radiodrama të mund të shkojnë në të gjithë botën përmes shërbesës Shpresë për ty. Programet janë dizenjuar të sjellin shpresë, të ofrojnë zgjedhje të shëndetshme dhe të urta ndërkohë që prezantojnë Jezusin dhe dashurinë e tij pasionante dhe të fuqishme.

Objektivat

· Të sigurojë një mjet ndërmjetësues që arrin gratë në fusha të ndryshme sociale, fetare dhe gjuhësore që janë zënë në kurthin e trafikimit dhe /ose prostitucionit me mesazhin inkurajues të shpresës dhe dashurisë së Jezus Krishtit.

· Të prekë çështje sociale të ndjeshme, fizike, psikologjike, mjekësore dhe emocionale në një mënyrë jo kërcënuese nga pikëpamja e krishterë dhe mbështetur në historitë e vetë grave.

· T’u tregojë grave vlerën dhe qëllimin e tyre të dhënë nga Perëndia.

· Ta prezantojë Jezusin si mikun, shpëtimtarin dhe shëruesin e grave.

· T’u tregojë sesi Jezusi i takon gratë në mjerimin e tyre.

Ky projekt është frymëzuar nga seria me radiodrama që TWR Shpresë për ty ka sjellë në gjuhën shqipe. Në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare Pritëse të Viktimave të Trafikimit dhe organizatën Different and Equal kemi zhvilluar dy kampe verore për vajzat dhe gratë që ndodhen në këto qendra. Kampi veror ka qenë për një javë rresht dhe çdo ditë ka sjellë 3 orë aktivitete për vajzat dhe gratë në këto qendra. Me stafin kemi prezantuar radiodramat “Thesare të fshehura” dhe kemi zhvilluar tema sociale, punëdore, terapi arti apo aktivitete argëtuese për to.

Thesare të Fshehura

shprese-per-jeten-cover

Shpresë për jetën

Në bashkëpunim me Fondacionin Spitalor të Nënës dhe Fëmijës në vitin 2018 kemi nisur një projekt të titulluar “Shpresë për jetën”, ku përmes një serie temash nga skriptet e programeve “Shpresë për ty” të përzgjedhura vetëm për nënat që sapo kanë lindur dhe i kanë bebat e tyre në inkubator të sjellim shpresë dhe inkurajim tek to. Çdo të premte ne vizitojmë nënat që kanë lindur në maternitetet Mbretëresha Geraldinë dhe Koço Glozheni në Tiranë dhe zhvillojmë një grup diskutimi dhe një temë me to. Shpesh këto nëna mund të jenë në depresion dhe një vesh që i dëgjon dhe një zë që i këshillon është si një balsam për shpirtin e tyre.

Në bashkëpunimi me Fondacionin Spitalor të Nënës dhe Fëmijës dhe MamiCare në gusht të 2020 publikuam broshurën “Ti je mami më e mirë në botë”, një revistë e vogël me 6 tema që përshkruan udhëtimin e një nëne kur një bebe vjen në jetën e saj: Mirëseardhja e bebes së re në familje; marrëdhënia dhe afrimiteti me bebin; marrëdhëniet në çift pas lindjes së bebit, Bebi im është në inkubator: si të kontrolloj frikën; Bebi im është në inkubator: si të kontrolloj shqetësimin; Bebi im është në inkubator si të kontrolloj zemërimin.

Citime nga mamat

Më dridhet trupi nga emocionet dhe më mbushen sytë me lot kur shikoj ato mama sepse mund ta kuptoj sa e rëndë është për zemrën e tyre të kenë bebin në inkubator. Sa shumë nevojë pata unë dhe Zoti më lehtësoi vetëm duke folur me juFjalët tuaja ishin si një balsam për mua. Falemnderit për gjithçka.” – Teuta, një mami e re që ka pasur bebin në inkubator.

Herën e kaluar ju më treguat se si mos të rrija më e dëshpëruar, por sa herë që të shkoja tek bebi ta përkëdhelja dhe t’i këndoja këngë. E provova gjatë kësaj jave dhe i këndova atë këngë që dija (Qingji i vogël) dhe bebi ka filluar të më shtrëngojë dorën dhe është më mirë. Falemnderit për këshillën tuaj.” – një mami që ka pasur bebin në inkubator.

Ishte tronditje shumë e madhe për mua që të shikoja bebin tim në inkubator dhe mos të kisha mundësi ta përqafoja. Vetëm qaja dhe mendoja se askush nuk e kuptonte dot dhimbjen time. Por vajzat e projektit “Shpresë për jetën” më këshilluan të bëhesha e fortë dhe pozitive për t’i transmetuar bebit ndjenja pozitive dhe kështu ai do të shërohej më shpejt. Unë fillova ta bëj këtë menjëherë dhe e kaluam bashkë me bebin këtë situatë. Atëherë dukej sikur nuk do mbaronte kurrë. Tani ai është tre muajsh dhe na kënaq me buzëqeshjet e tij. Mirënjohëse pa fund për këshillimin tuaj në atë kohë të vështirë.” – një mami që ka pasur bebin në inkubator.

Shfleto revistën

 

ti-je-e-cmuar-cover

Ti je e çmuar

Ky projekt është frymëzuar nga dëshira për të ndihmuar sado pak gratë që kemi takuar në Qendrën Kombëtare të trajtimit të viktimave të dhunës në familje. Diskutime të temave të ndryshme që prekin këto nëna të vetme të dhunuara dhe fëmijët e tyre kanë qenë pjesë e takimeve tona të përmuajshme me gratë në këtë qendër. Pas daljes nga qendra, jemi munduar t’i lidhim këto gra me një kishë lokale që mund të kujdesej më tej për to. Me ndihmë nga partnerët tanë kemi bërë të mundur edhe sigurimin e një pako ushqimore ose një “kuti gëzimi” për mamat që sapo kanë lindur.