Shpresë për jetën

Në bashkëpunim me Fondacionin Spitalor të Nënës dhe Fëmijës në vitin 2018 kemi nisur një projekt të titulluar “Shpresë për jetën”, ku përmes një serie temash nga skriptet e programeve “Shpresë për ty” të përzgjedhura vetëm për nënat që sapo kanë lindur dhe i kanë bebat e tyre në inkubator të sjellim shpresë dhe inkurajim tek to. Çdo të premte ne vizitojmë nënat që kanë lindur në maternitetet Mbretëresha Geraldinë dhe Koço Glozheni në Tiranë dhe zhvillojmë një grup diskutimi dhe një temë me to. Shpesh këto nëna mund të jenë në depresion dhe një vesh që i dëgjon dhe një zë që i këshillon është si një balsam për shpirtin e tyre.

Në bashkëpunimi me Fondacionin Spitalor të Nënës dhe Fëmijës dhe MamiCare në gusht të 2020 publikuam broshurën “Ti je mami më e mirë në botë”, një revistë e vogël me 6 tema që përshkruan udhëtimin e një nëne kur një bebe vjen në jetën e saj: Mirëseardhja e bebes së re në familje; marrëdhënia dhe afrimiteti me bebin; marrëdhëniet në çift pas lindjes së bebit, Bebi im është në inkubator: si të kontrolloj frikën; Bebi im është në inkubator: si të kontrolloj shqetësimin; Bebi im është në inkubator si të kontrolloj zemërimin.

Citime nga mamat

Më dridhet trupi nga emocionet dhe më mbushen sytë me lot kur shikoj ato mama sepse mund ta kuptoj sa e rëndë është për zemrën e tyre të kenë bebin në inkubator. Sa shumë nevojë pata unë dhe Zoti më lehtësoi vetëm duke folur me juFjalët tuaja ishin si një balsam për mua. Falemnderit për gjithçka.” – Teuta, një mami e re që ka pasur bebin në inkubator.

Herën e kaluar ju më treguat se si mos të rrija më e dëshpëruar, por sa herë që të shkoja tek bebi ta përkëdhelja dhe t’i këndoja këngë. E provova gjatë kësaj jave dhe i këndova atë këngë që dija (Qingji i vogël) dhe bebi ka filluar të më shtrëngojë dorën dhe është më mirë. Falemnderit për këshillën tuaj.” – një mami që ka pasur bebin në inkubator.

Ishte tronditje shumë e madhe për mua që të shikoja bebin tim në inkubator dhe mos të kisha mundësi ta përqafoja. Vetëm qaja dhe mendoja se askush nuk e kuptonte dot dhimbjen time. Por vajzat e projektit “Shpresë për jetën” më këshilluan të bëhesha e fortë dhe pozitive për t’i transmetuar bebit ndjenja pozitive dhe kështu ai do të shërohej më shpejt. Unë fillova ta bëj këtë menjëherë dhe e kaluam bashkë me bebin këtë situatë. Atëherë dukej sikur nuk do mbaronte kurrë. Tani ai është tre muajsh dhe na kënaq me buzëqeshjet e tij. Mirënjohëse pa fund për këshillimin tuaj në atë kohë të vështirë.” – një mami që ka pasur bebin në inkubator.

Shfleto revistën

 

Comments are closed.